Hetuesit në Shtetet e Bashkuara kanë gjetur dy kutitë e zeza të Avionit të ngarkesave të Kompanisë Amazon, I cili u rrëzua në aeroportin ndërkombëtar duke lënë të vrarë 5 persona dhe të plagosur rëndë 8 të tjerë. Autoritetet kanë deklaruar se në ditët në vijim pritet të kenë prova mbi shkakun e rrëzimit të Avionit të mallrave. Puna vijon ende për të identifikuar viktimat e këtij aksidenti tragjik .

Pas daljes nga pista, avioni goditi fillimisht pajisje dhe mjete ndihmëse të navigimit në aeroport dhe më pas u përplas me një furgon të bardhë Ford që po transportonte 7 persona. Avioni vijoi lëvizjen, kaloi përmes një rrethimi të aeroportit dhe u përplas me një Toyota Corolla, në të cilën ndodheshin tre persona. Mjeti dhe avioni përfunduan rreth 394 metra përtej fundit të pistës.

Kryetarja e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit në SHBA (NTSB), Jennifer Homendy, deklaroi se është ende shumë herët për të përcaktuar shkakun e aksidentit.Ajo tha se prioriteti aktual është rikuperimi i trupave të viktimave, ndërsa hetimi teknik dhe sigurimi i provave nga avioni mund të presin.

Pas gjetjes se dy kutive te Zeza hetuesit pritet të shqyrtojnë historikun e fluturimeve të avionit, përvojën dhe trajnimin e ekuipazhit, të dhënat e radarit dhe performancën e avionit. Grupe të veçanta do të analizojnë sistemet dhe motorët e avionit, ndërsa një meteorolog do të vlerësojë kushtet e motit në momentin e uljes.

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit do të jetë shqyrtimi nëse pista duhej të kishte të instaluar një sistem, i cili është projektuar për të ngadalësuar dhe ndaluar avionët që dalin nga pista. Homendy e cilësoi këtë si një aspekt “kyç” të hetimit.

Sipas një analize paraprake të BBC Verify, pak para aksidentit pranë aeroportit kishte një stuhi aktive, ndërsa shpejtësia e erës në shpërthime arrinte deri në 48 km/h.