Mbetje njerëzore, që dyshohet se i përkasin një burri ende të paidentifikuar, janë zbuluar brenda disa çantave të shpinës në lumin Rajn, në kantonin zviceran të Aargaut, pranë kufirit me Gjermaninë. Policia dyshon se bëhet fjalë për një krim të dhunshëm.
Ngjarja u zbulua mëngjesin e së hënës, kur tre burra që ndodheshin pranë brigjeve të lumit, në zonën e Stein, vunë re një çantë shpine në ujë. Pasi e nxorën në breg, ata zbuluan brenda saj një këmbë njeriu dhe njoftuan menjëherë autoritetet.
Pas sinjalizimit, policia nisi kërkimet në zonë me ndihmën e një varke dhe zhytësve. Gjatë operacionit u gjetën edhe çanta të tjera që përmbanin mbetje njerëzore, të cilat, sipas vlerësimeve paraprake, i përkasin një burri.
Shërbimi mjeko-ligjor i kantonit të Aargaut po kryen ekzaminimet për të përcaktuar identitetin e viktimës dhe rrethanat e vdekjes. Sipas policisë kantonale, gjetjet paraprake ngrenë dyshime se burri mund të jetë vrarë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje se ku mund të jetë kryer krimi, kur ka ndodhur apo kush mund të jetë përgjegjës. Prokuroria ka hapur një hetim penal për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë vënë re lëvizje apo aktivitete të dyshimta pranë lumit Rajn ose në zonat përreth të japin çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet.
