Një zbulim i pazakontë në shtetin Michoacan, në perëndim të Meksikës, ka ngritur dyshime për ekzistencën e një zone ku mund të jenë fshehur mbetje njerëzore. Një organizatë vullnetare e angazhuar në kërkimin e personave të zhdukur pretendon se ka gjetur rreth 1600 dhëmbë qumështi, të cilët kërkon t’u nënshtrohen analizave të ADN-së.

Grupi përbëhet kryesisht nga familjarë që kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur dhe drejtohet nga Margarita Lopez, ish-deputete e shtetit Michoacan. Sipas saj, vetëm ekspertizat mjekoligjore mund të përcaktojnë origjinën e dhëmbëve dhe nëse ata mund të lidhen me persona të raportuar të zhdukur.

Historia e kërkimeve në këtë zonë, sipas Lopez, nis në vitin 2021. Gjatë një operacioni në Zacapu, vullnetarët kishin vënë re tym që vinte nga një kodër dhe më pas ishin drejtuar drejt një prone që dyshohej se kishte lidhje me një trafikant droge nga Sinaloa.

Lopez pretendon se në territorin e pronës u konstatuan mbetje të dyshuara njerëzore. Gjatë kontrollit të materialeve të gjetura, një zyrtar i identifikuar prej saj vetëm si “Braulio” kishte pastruar një dhëmb dhe kishte ngritur dyshimin se ai mund t’i përkiste një fëmije.

Kërkimet në zonë, sipas grupit, nuk u ndërprenë pas operacionit të parë. Vullnetarët thonë se gjatë viteve kanë gjetur fragmente të tjera që dyshohet se janë kocka njerëzore, ndërsa së fundmi kanë hasur disa grumbuj me dhëmbë qumështi.

Lopez ka ngritur dyshimin se dhëmbët mund t’u përkasin fëmijëve të moshave nga 1 deri në 12 vjeç. Ajo ka hedhur gjithashtu hipoteza për trafik organesh apo shfrytëzim seksual të viktimave. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar nga ekspertiza të pavarura mjekoligjore dhe deri tani nuk është përcaktuar nëse dhëmbët lidhen me persona të zhdukur apo me ndonjë aktivitet kriminal.

Versioni i grupit është kundërshtuar nga Prokuroria e Michoacan-it. Institucioni ka deklaruar se nuk rezulton të ketë marrë që prej vitit 2021 ndonjë kallëzim, referim apo kërkesë zyrtare për ndërhyrjen e ekspertëve mjekoligjorë lidhur me këtë rast.

Lopez këmbëngul në të kundërtën. Ajo pretendon se përfaqësues të prokurorisë lokale kanë qenë të pranishëm gjatë nxjerrjes së rreth 1600 dhëmbëve dhe se procedura është dokumentuar. Sipas saj, në operacion kanë marrë pjesë gjithashtu një prokuror federal dhe ekspertë të mjekësisë ligjore.

Për ish-deputeten, kërkimi i personave të zhdukur është edhe një çështje personale. Vajza e saj u zhduk në vitin 2011, ndërsa mbetjet e saj u gjetën dy vjet më vonë në një tjetër zonë.

Rasti vjen në një kohë kur fenomeni i personave të zhdukur mbetet një problem serioz në Meksikë. Sipas shifrave të cituara nga grupi, numri i personave të zhdukur në vend ka kaluar 130 mijë, mes të cilëve më shumë se 18 mijë janë fëmijë.

Lopez i është drejtuar edhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për asistencë në hetimin e rastit dhe ka kritikuar administratën e presidentes Claudia Sheinbaum për mënyrën e trajtimit të çështjes.

Megjithatë, pikëpyetja kryesore mbetet ende pa përgjigje: kujt i përkasin dhëmbët dhe si kanë përfunduar në atë zonë. Për këtë nevojiten analiza të pavarura forenzike dhe krahasime gjenetike, të cilat mund të përcaktojnë origjinën e tyre dhe nëse ekziston ndonjë lidhje me personat e zhdukur.