Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në Golem, ku ish-ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Werner Daum, është gjetur i pajetë në dhomën e një hoteli ku ishte akomoduar për një vizitë zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë:
“Rreth orës 12:30, në Golem, në një dhomë hoteli, është gjetur pa shenja jete shtetasi W. D., 82 vjeç. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.”
Daum kishte mbërritur në Shqipëri pak ditë më parë dhe mori pjesë në një ceremoni zyrtare në Kavajë, ku u përurua shtatorja e dëshmorit të demokracisë, Josif Budo. Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i PD-së Sali Berisha dhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, Daum u nderua nga Bashkia Kavajë me një Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e tij në periudhën vendimtare të viteve ’80.
