Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nkosinathi Emmanuel Nathi Mthethwa, 58 vjeç, është gjetur i vdekur këtë të martë, 30 shtator, pranë një hoteli në Paris.
Siç shkruan France 24, dritarja e dhomës së tij ishte hapur me forcë, në katin e 22-të.
Një burim i afërt me hetimet, thotë se ambasadori vuante nga depresioni dhe vdekja e tij mund të jetë vetëvrasje. Megjiathatë, autoritetet franceze kanë nisur hetimet intensive.
Mthethwa ishte emëruar ambasador në dhjetor të 2023-it.
Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola, në një deklaratë nga Pretoria, tha se “ndarja e tij nga jeta është jo vetëm një humbje e madhe kombëtare, por edhe për komunitetin ndërkombëtar diplomatik”.
Mthethwa ka shërbyer si ministër i Artit dhe Kulturës nga 2014 deri në 2019, dhe më pas si ministër i Sportit, Artit dhe Kulturës deri në 2023-in. Ai gjithashtu ka shërbyer si ministër i Policisë (2009-2014) dhe ministër i Sigurisë (2008-2009).
Ai ka qenë gjithashtu anëtar i bordit drejtues të Komitetit Organizativ Lokal të Kupës së Botës 2010 të Futbollit. Nga viti 2007 deri në 2022, Mthethwa ishte zyrtar i lartë i Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC).