Një zbulim i pazakontë është bërë në shtetin e New Jersey-t, ku një burrë që po merrte pjesë në pastrimin e ligatinave gjeti një shishe me një mesazh të shkruar 53 vite më parë nga një vajzë 9-vjeçare.
John Kauterman, bashkëthemelues i organizatës Tidelands Initiative, hasi në shishen e mbyllur gjatë një aksioni pastrimi në ligatinat e Upper Township. Brenda saj ndodhej një letër e shkruar në vitin 1973, e cila mbante firmën e një vajze të quajtur Blair.
Me shpresën për të gjetur autoren ose familjen e saj, Kauterman publikoi një fotografi të letrës në rrjetet sociale. Postimi u shpërnda gjerësisht dhe përfundimisht arriti te motra e Blair, Allison Spencer.
Spencer tregoi se letra ishte shkruar prej saj, pasi në atë kohë ishte 16 vjeçe dhe kishte shkrim dore më të mirë, ndërsa përmbajtja ishte diktuar nga motra e saj 9-vjeçare. Më pas, të dyja e hodhën shishen në det nga një plazh në Ocean City.
Sipas Spencer, Blair ishte një fëmijë me imagjinatë të pasur dhe humor të veçantë, e bindur se një ditë mesazhi i saj do të gjendej.
Gjatë kërkimeve, Kauterman mësoi se Blair kishte ndërruar jetë nga kanceri në vitin 2019. Ai u prek edhe më shumë kur zbuloi se të dy kishin të njëjtën datëlindje.
Mesazhi origjinal i është dërguar familjes së Blair, ndërsa motra e saj ka bërë të ditur se planifikon ta ruajë në një kornizë si kujtim. Sipas saj, nëse Blair do të ishte ende gjallë, reagimi i saj do të ishte i thjeshtë: “Ta thashë që do të gjendej.”
