Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar gjenerallejtënantin në pension Eric Wendt për postin e ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, ndërsa nesër ai pritet të raportojë në Komitetin e Jashtëm në kuadër të procesit të nominimit.
Raportimi lidhet me kandidaturën e tij për të drejtuar Ambasadën Amerikane në Tiranë, një post që vijon të mbetet vakant prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023.
Eric Wendt u propozua nga Donald Trump më 13 prill. Ai ka mbi 34 vite eksperiencë në ushtrinë amerikane, ku ka mbajtur poste të larta drejtuese dhe ka komanduar struktura me mijëra efektivë ushtarakë dhe civilë.
Për dy vite ai ka shërbyer edhe pranë Departamentit Amerikan të Shtetit si pjesë e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem, ku ka drejtuar një koalicion me tetë vende në rolin e Koordinatorit të Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Në atë detyrë ai raportonte drejtpërdrejt te Sekretari amerikan i Shtetit.
Kandidatura e Wendt duhet të kalojë fillimisht në Komitetin për Politikë të Jashtme, ndërsa miratimi përfundimtar do të jepet nga Senati amerikan.
Pas largimit të Yuri Kim, ambasada amerikane në Tiranë drejtohet aktualisht nga e ngarkuara me punë Nancy VanHorn. Kandidatura e mëparshme e propozuar nga Joe Biden për diplomatin David Kostelancik nuk arriti të miratohej nga Senati.
