Në kohët kur mungojnë paratë, maten mirë shpenzimet: Gjermania shkurton buxhetin e ndihmës për zhvillim me afër 1 miliard euro. Organizatat humanitare ngrenë alarmin.
Nga do të vijnë paratë për ndihmën për zhvillim, kur vetë në Gjermani kërkohet të kursehet? Tani dihet: Gjermania do të japë më pak para për ndihmën për zhvillimin në të ardhmen, megjithë krizat në rritje. Para pak ditësh Bundestagu me votat e koalicionit qeverisës të CDU/CSU dhe SPD e shkurtoi buxhetin e Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) me 10.31 miliardë euro. Një rënie prej më shumë se tetë përqind. Do të mbetet e aftë për të vepruar politika gjermane e zhvillimit?
Shifrat janë të qarta; nuk ka asgjë për të zbukuruar, për këtë është vetëdijshme edhe ministrja gjermane e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan (SPD), por ajo kujton, se “jemi shumë larg marrëdhënieve amerikane – dhe kjo është e mirë dhe e drejtë”.
Radovan i referohet shkurtimeve edhe më masive të ndihmës për zhvillim nën Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Alabali Radovan përmendi një shembull: “Në Kenia, mbi 700.000 refugjatë, shumë nga Somalia, preken drejtpërdrejt nga shkurtimet e SHBA-së në Programin Botëror të Ushqimit.” Ata marrin vetëm një të tretën e racioneve ushqimore që u nevojiten. Uria dhe kequshqyerja po rriten në mënyrë dramatike. “Tensionet po rriten, shumë njerëz po detyrohen të ikin në zona të tjera dhe rajoni po destabilizohet gjithnjë e më shumë”, paralajmëroi ministrja gjermane 35-vjeçare. “Kjo është e papranueshme nga një perspektivë humane dhe gjithashtu nuk korrespondon me interesat e sigurisë së Gjermanisë.”
Çfarë pasojash sjellin shkurtimet për organizatat humanitare?
Shkurtimet që bën Gjermania në ndihmën për zhvillim kanë pasoja të rënda, sipas organizatave humanitare. Konkretisht, fondi i ndihmës emergjente akute, për të cilën është përgjegjëse Ministria Federale e Jashtme (AA), ka tani më pak se gjysmën e shumës në dispozicion krahasuar me vitin 2024: 1.05 miliardë euro në vend të 2.23 miliardë eurove.
Thorsten Klose-Zuber, Sekretar i Përgjithshëm i organizatës “Help – Hilfe zur Selbsthilfe” (Ndihmë – Ndihmë për Vetëndihmë) jep alarmin: “Me humbjen e ndihmës humanitare nga Shtetet e Bashkuara, si dhe me përgjysmimin e buxhetit gjerman, nuk jemi vetëm para problemeve financiare. Për shumë vite, ne mezi kemi arritur të arrijmë me ndihma gjysmën e njerëzve të prekur.”
Një vështrim pas në vitin 2022 tregon se sa shpejt dhe në mënyrë dramatike vazhdon spiralja e rënies: Që atëherë, buxheti gjerman i ndihmës emergjente është shkurtuar me një të tretën. “Vetëm shkurtimi gjerman, nga dy miliardë euro në një miliard, do të rezultojë në më shumë se katër milionë njerëz në të gjithë botën që nuk do të marrin më ndihma në ushqime”, kritikon Klose-Zuber. Ai vlerëson se numri i përgjithshëm i njerëzve në nevojë është më shumë se 320 milionë vetë.
Pasoja dramatike për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kujdesin shëndetësor
Fondet e ndihmës të reduktuara në mënyrë drastike po japin efekte konkrete që tani edhe në fusha të tjera: “Mbi një milion e gjysmë njerëz do të humbasin kujdesin shëndetësor bazë për shkak të shkurtimeve gjermane”, thotë eksperti i “Help”. Ai shton se situata është e ngjashme edhe në lidhje me qasjen në ujë të pijshëm të pastër.
Sipas vlerësimit të Klose-Zuber, pothuajse gjithçka mungon në rajonet e krizës. Nuk është fjala vetëm për vendet në luftë, por edhe për ato të prekura nga fatkeqësitë natyrore si tërmetet: “Si ato që pamë në Myanmar ose Afganistan”, kujton eksperti. Në të dy vendet, pati mijëra vdekje dhe shkatërrime masive.
“Ndjehem gjithnjë e më shumë si mjek urgjence”
Konkluzioni i Klose-Zuber tingëllon i dëshpëruar: “Ndjehem gjithnjë e më shumë si një mjek urgjence që mbërrin në një aksident trafiku me pesë persona të plagosur rëndë, dhe tani duhet të përcaktoj përparësitë se kush do të vdesë dhe për kë tjetër duhet të kujdesem.” Në këtë gjendje është organizata humanitare, thotë Klose-Zuber. Ata mund të përqendrohen vetëm në ato vende ku nevoja është shumë shumë më e madhe.
Nga perspektiva e Partisë së Gjelbër në opozitë, shkurtimet masive në ndihmën për zhvillim dhe emergjencë janë të papërgjegjshme. “Askush nuk ka pretenduar se ne vetëm mund ta mbushnim boshllëkun e lënë nga tërheqja e SHBA-së”, thotë deputetja Jamila Schäfer. “Por fakti që ne as nuk po përpiqemi ta mbushim disi këtë boshllëk në asnjë mënyrë është i dhimbshëm. Sidomos për njerëzit e prekur.”
Si ekonomia gjermane përfiton nga ndihma për zhvillim
Partitë në pushtet CDU/CSU kanë qëndrim tjetër për efektivitetin e ndihmës gjermane dhe ndërkombëtare për zhvillim: “Mendoj se përhapja e panikut global është e gabuar”, shprehet parlamentarja e CDU-së Inge Gräßle. Duam të tregojnë se edhe me dhjetë miliardë euro, mund të arrihen rezultate të mira në bashkëpunimin për zhvillim, sipas Gräßle.
Mund të kishte qenë edhe më keq, nëse Alternativa për Gjermaninë (AfD) do të kishte arritur qëllimin e saj. AfD donte që buxheti i Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të ishte shkurtuar në mënyrë drastike në 2.5 miliardë euro. Por pavarësisht shkurtimeve, ai është rreth katër herë më i lartë. Mirco Hanker e konsideron këtë një “shpërdorim të parave të taksapaguesve”. Si shembull, ai përmend konceptet e elektromobilitetit në Indi të mbështetur nga Gjermania. “Mund të paktën të shtrohet pyetja nëse India, si një komb i madh dhe fuqi në zhvillim që ka ulur me sukses anije kozmike në hënë, nuk mund t’i financojë vetë konceptet dhe infrastrukturën e saj?”.
Kritika ndaj projekteve të veçuara të ndihmës është po aq e vjetër sa edhe vetë ndihma për zhvillim. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ekonomia gjermane shpesh përfiton prej saj. Një ekip nga Universiteti i Göttingenit provoi në një studim të porositur nga Banka gjermane “Kreditanstalt für Wiederaufbau” (KfW) të paraqitur në vitin 2024: “Bashkëpunimi gjerman për zhvillim lufton krizat globale dhe përmirëson kushtet e jetesës në vendet partnere – po ka edhe efekte të dukshme pozitive në ekonominë gjermane të eksportit”, tha anëtarja e Bordit të KfW, Christiane Laibach.
Sipas studimit, më shumë se një e treta e çdo euroje të investuar në bashkëpunimin për zhvillim kthehet në ekonominë gjermane. Ministrja gjermane e Zhvillimit, Reem Alabali Radovan, është gjithashtu e vetëdijshme për efekte të tilla. “Çdo euro e investuar me mençuri në të gjithë botën promovon sigurinë dhe paqen, përfshirë edhe për ne në Evropë dhe Gjermani”, theksoi socialdemokratja. /DW/