Gjermania thotë se NATO nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk ka përgjegjësi për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, në mes të tensioneve për luftën me Iranin.

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul deklaroi se nuk ka asnjë vendim të aleancës për t’u përfshirë në operacionet në këtë korridor strategjik të naftës.

“Nuk më rezulton që NATO të ketë marrë një vendim apo të ketë përgjegjësi për Ngushticën e Hormuzit. Nëse do të ishte kështu, organet e NATO-s do të merreshin me këtë çështje”, tha ai para nisjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Deklarata vjen pasi Donald Trump paralajmëroi për “një të ardhme shumë negative” për NATO-n nëse aleanca nuk kontribuon në operacionet që lidhen me konfliktin me Iranin.