Tetë raste me malarie, dy prej të cilave kanë përfunduar me humbje jete, kanë shtyrë autoritetet shëndetësore gjermane të intensifikojnë hetimet në Frankfurt.

Infektimet janë regjistruar që prej muajit korrik, ndërsa vëmendja është përqendruar veçanërisht te dy rastet më të fundit të evidentuara në Schwanheim, një zonë që ndodhet në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të qytetit.

Pikërisht afërsia me aeroportin dhe fakti që disa prej personave të prekur kanë punuar aty kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e transmetimit. Autoritetet po verifikojnë nëse rastet mund të lidhen me të ashtuquajturën “malaria e aeroportit”.

Një prej skenarëve që po shqyrtohet është transportimi aksidental i mushkonjave të infektuara përmes avionëve që mbërrijnë nga rajone ku malaria është endemike. Nëse insektet mbijetojnë gjatë udhëtimit dhe më pas pickojnë njerëz pranë aeroportit, ekziston mundësia e transmetimit të parazitit përgjegjës për sëmundjen.

Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse ky mekanizëm qëndron pas rasteve të evidentuara në Frankfurt apo nëse ekziston një tjetër burim infektimi.

Malaria transmetohet kryesisht nga pickimi i mushkonjave të infektuara dhe simptomat e para jo gjithmonë e bëjnë të lehtë diagnostikimin. Shenjat fillestare mund të ngjajnë me ato të gripit apo të një infeksioni gastrointestinal.

Temperatura e lartë, të dridhurat, dhimbjet e kokës dhe të muskujve, si edhe problemet gastrointestinale janë ndër simptomat më të zakonshme.

Vëmendje e veçantë kërkohet për format më të rënda të sëmundjes, përfshirë malaria tropica, e cila mund të shkaktojë komplikacione serioze dhe të rrezikojë jetën nëse diagnostikimi dhe trajtimi vonohen.