Në Gjermani ky është vit zgjedhor për pesë lande të vendit, por edhe një test për politikën atje me CDU-në që lufton për një rikthim të fuqishëm, AfD-në e ekstremit të djathtë që synon të fitojë terren dhe SPD-në që do të kënaqej edhe thjesht me mbajtjen e pozicioneve aktuale.
DW thotë se këto zgjedhje shihen si të një rëndësie kyçe në raport me ndikimin te balancat politike. Një zhvillim, i cili mund t‘i ndryshojë konstelacionet e zakonshme politike është se partia ultra e djathtë AfD-Alternativa për Gjermaninë- po forcohet, edhe në perëndim të Gjermanisë.
Ndërkohë, partitë e tjera në qeveritë e landeve po humbasin terren. Kjo mund ta vështirësojë formimin e qeverive. Në tërësi, disa ekspertë presin që të forcohen ekstremet, veçanërisht AfD-ja.
Përsa i përket lindjes së Gjermanisë: perspektiva e fitores atje të AfD-së mund të nxisë krijimin e një aleance të të gjitha partive kundër saj, theksohet në shkrim, teksa nuk përjashtohen gjasat e krijimit të një qeverie pakice. Ka edhe zëra që kërkojnë që të rimendohet “kordoni sanitar”për mosbashkëpunim në qeverisje me AfD-në.
Gjermania ka vijuar të mbetet një vend më stabil se të tjerët, megjithë debatet në qeverinë qendrore në Berlin. Por edhe një sondazh i fundit, i gazetës Bild am Sonntag, nxorri se 71% e gjermanëve janë të pakënaqur me ekzekutivin. Sondazhet i japin shanse më të mëdha CDU-së, partisë së qendrës së djathtë të kancelarit Merz. Ato shohin gjithashtu thuajse kudo në Gjermani forcimin e ultra të djathtës AfD; socialdemokratët, në tërësi, kanë rezultate jo të forta në sondazhe.
