Autoritetet gjermane janë vënë në alarm pas dy sulmeve të dyshuara kundër infrastrukturës energjetike në lindje dhe perëndim të vendit, të regjistruara brenda 24 orësh. Në landin e Brandenburgut, policia ka hapur hetim për krijimin e mundshëm të një organizate terroriste, pasi disa predha artizanale u përdorën për të dëmtuar linjat e tensionit të lartë pranë një termocentrali.
Sipas hetimeve paraprake, autorët kishin vendosur më shumë se 12 mjete të ngjashme me raketat, të pajisura me ngarkesa shtytëse, poshtë linjave elektrike. Vetëm njëra prej tyre arriti objektivin, duke çuar një kabllo në linjën e tensionit shumë të lartë dhe duke krijuar lidhje me tokën. Incidenti shkaktoi një ndërprerje të shkurtër të energjisë.
Ministri i Brendshëm i Brandenburgut, Jan Redmann, deklaroi se vendi pati fat që shumica e predhave nuk arritën të godisnin objektivin. Sipas tij, ndërtimi dhe instalimi i mjeteve kërkonte njohuri të konsiderueshme teknike, ndërsa dyshohet se autorët kishin punuar për disa ditë në zonë. Një tjetër incident u regjistrua në nënstacionin elektrik të kompanisë “Amprion” në Bergheim, pranë Këlnit. Policia u njoftua pasi banorët raportuan shkëndija të forta gjatë natës.
Një qark i shkurtër preku disa linja, por furnizimi me energji për qytetarët nuk u ndërpre. Ministri i Brendshëm i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë, tha se ngjarja po hetohet paraprakisht si “sabotim antikushtetues”.
Hetuesit po verifikojnë nëse sulmi është organizuar nga jashtë Gjermanisë apo lidhet me qarqe ekstremiste të majta. Autoritetet nuk kanë identifikuar ende të dyshuar për asnjërin prej incidenteve. Sulmet vijnë në një moment kur Berlini po përballet me shqetësime në rritje për sabotime dhe veprime hibride kundër infrastrukturës strategjike të vendit.
