
Spitali në Berlin që po trajton liderin e opozitës ruse të sëmurë rëndë, Alexei Navalny, ka deklaruar se duket se ai është helmuar.
Spitali Charité bëri një deklaratë duke thënë se provat klinike tregojnë shenja helmimi.
“Ekipi i mjekëve ekzaminoi me hollësi pacientin pas arritjes së tij. Gjetjet klinike flasin për helmim nga një lëndë që bën pjesë në grupin e substancave aktive të quajtur ‘frenues të kolinesterazës’”, tha spitali në një deklaratë.
Navalny, kundërshtar i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur rëndë të enjten e kaluar, ndërsa aleatët e tij besojnë se ishte një helmim. Ai u dërgua të shtunën në Gjermani për trajtim me një avion ambulancë.
Përkrahësit e tij dyshojnë se lënda helmuese ishte hedhur në një filxhan çaji që ai piu në aeroport në Tomsk.
Mjekët rusë insistuan më parë se nuk ishte gjetur helm në trupin e tij dhe sugjeruan një çrregullim metabolik të shkaktuar nga sheqeri i ulët në gjak.
Por zyrtarët rusë shëndetësorë treguan se gjurmët e një lënde kimike industriale ishin gjetur në lëkurën dhe flokët e tij.
