Forcat e armatosura të Gjermanisë po përgatisin një plan emergjent për të trajtuar deri në 1,000 ushtarë të plagosur çdo ditë, në rast të një konflikti të madh mes NATO-s dhe Rusisë, mes shqetësimeve gjithnjë e më të mëdha për një përshkallëzim të mundshëm.
Ky plan bën pjesë në një strategji më të gjerë të ushtrive evropiane, të cilat po përgatiten për një përballje të mundshme me Moskën, ndërkohë që NATO paralajmëron se Rusia mund të jetë gati për një sulm deri në vitin 2029. Pavarësisht garancive të Kremlinit se nuk synon luftë me Aleancën, shkeljet e fundit të hapësirës ajrore në Poloni dhe Estoni nga avionë e dronë rusë kanë shtuar frikën për tensione të reja.
Kryemjeku i ushtrisë gjermane, Ralph Hoffman, u shpreh se numri i të plagosurve do të varet nga intensiteti i luftimeve dhe njësitë e përfshira. “Realisht, mund të flasim për rreth 1,000 të plagosur në ditë,” tha ai, duke shtuar se Gjermania po i kushton një vëmendje të madhe trajnimit mjekësor dhe kujdesit për të plagosurit, duke marrë mësime nga përvoja e luftës në Ukrainë. Sipas tij, natyra e luftës ka ndryshuar ndjeshëm, me plagë që vijnë më shumë nga shpërthimet e dronëve dhe municioneve, sesa nga armët e zjarrit.
Paralelisht, Berlini ka njoftuar edhe plane për të zgjeruar rrjetin e strehimoreve antibombë në vend, përballë rrezikut të një sulmi rus brenda katër viteve të ardhshme. Shefi i Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile dhe Menaxhimin e Fatkeqësive, Ralf Tischler, theksoi se Gjermania duhet të përballet me realitetin dhe të përgatitet seriozisht për mundësinë e një lufte.
“Për një kohë të gjatë kemi menduar se lufta nuk ishte një skenar për Gjermaninë. Tashmë kjo ka ndryshuar. Ne jemi të shqetësuar për rrezikun e një konflikti të madh agresiv në Evropë,” deklaroi Tischler.