Mbetje njerëzore që dyshohet se i përkasin një burri të paidentifikuar janë zbuluar në disa çanta shpine në lumin Rajn, në kantonin Aargau të Zvicrës, pranë kufirit me Gjermaninë.
Sipas policisë lokale, zbulimi u bë në zonën e Stein, ku tre persona vunë re një çantë shpine në ujë. Pasi e nxorën në breg, ata konstatuan se brenda saj ndodhej një këmbë njeriu. Gjatë kërkimeve të mëtejshme, me ndihmën e zhytësve dhe një varke, autoritetet gjetën edhe çanta të tjera që përmbanin mbetje njerëzore.
Shërbimi Forenzik i Aargau po kryen ekzaminimet për të përcaktuar identitetin e viktimës dhe rrethanat e vdekjes. Policia dyshon se bëhet fjalë për një krim të dhunshëm, por ende nuk ka të dhëna për vendin ku mund të jetë kryer krimi apo për autorët e mundshëm.
Ndërkohë, prokuroria ka nisur hetimet, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë vënë re lëvizje të dyshimta pranë lumit të ndihmojnë me informacione.
