Njeriu më i gjatë në Ganë, Sulemana Abdul Samed, ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare, pas vitesh të tëra betejë me probleme shëndetësore të shkaktuara nga një sëmundje e rrallë gjenetike që bëri që ai të vazhdonte të rritej.

Samed, i cili në vitin 2022 u mat me një gjatësi prej 2.24 metrash, por besohet se më pas ishte rritur edhe më shumë, ndërroi jetë të hënën si pasojë e plagëve të infektuara në këmbë.

I njohur nga të gjithë me nofkën Awuche, në gjuhën hausa, ai ishte kthyer në një figurë të njohur në mbarë Ganën dhe konsiderohej një personazh i dashur në fshatin e tij të lindjes, Gambaga.

Pas lajmit të hidhur, familjarë, miq dhe banorë të zonës i bënë homazhe, duke e kujtuar si një njeri bujar, zemërgjerë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Ata theksuan se fama e tij i dha edhe më shumë identitet komunitetit të vogël ku jetonte.

“Çdokush e njihte për zemrën e tij të madhe. Edhe tani, shumë njerëz vazhdojnë të vijnë në shtëpinë tonë për të mësuar se çfarë ndodhi”, tha për BBC një i afërm i tij, Sulemana Abdul Kudus.

Sipas tij, kudo që udhëtonte në Ganë, Samed e prezantonte me krenari vendlindjen e tij. “Kur e pyesnin nga ishte, ai thoshte gjithmonë Gambaga. Të gjithë e dinin se aty jetonte njeriu më i gjatë i vendit. Ai i dha fshatit tonë një identitet të veçantë”, u shpreh ai.

Sulemana Abdul Samed vuante nga sindroma Marfan, një çrregullim i rrallë gjenetik që prek indin lidhor të organizmit. Sëmundja mund të shkaktojë rritje të pazakontë të trupit, gjymtyrë shumë të gjata, si edhe komplikacione serioze në zemër dhe organe të tjera.

Ai ndërroi jetë në spitalin e qytetit Tamale, në veri të Ganës, ku ishte shtruar për shkak të plagëve të infektuara në këmbë. Sipas familjarëve, plagët nuk ishin shkaktuar drejtpërdrejt nga sindroma Marfan, por besohet se ishin pasojë e komplikacioneve të lidhura me gjendjen e tij shëndetësore.