“Gjithçka po shembej, u përpoqëm të shpëtonim veten, pastaj nuk mbaj mend asgjë”, me këto fjalë, 64-vjeçari Gaetano La Manna u përshkroi shpëtimtarëve sekondat para se të bllokohej në rrënojat e Torre dei Conti në qendër të Romës.

Punëtori i plagosur po trajtohet në spitalin San Giovanni Addolorata me lëndime në kokë dhe hundë të thyer. Ai është në gjendje të qëndrueshme dhe ende nuk është informuar për vdekjen e kolegut të tij, 66-vjeçarit Octave Stroici.

La Mana përshkroi se si ai dhe kolegët e tij po punonin në skela në kohën e incidentit.

“Dëgjuam një zhurmë të çuditshme dhe pluhur që ngrihej nga zona pranë ashensorit”, tha ai.

“Filluam të vraponim poshtë, por gjithçka dridhej. Kur arritëm në katin e dytë, ndodhi shembja. Prej andej, nuk mbaj mend asgjë”, tha La Mana.

Stroici, 66 vjeç, ishte me origjinë nga Suceava, Rumani, dhe kishte jetuar në Itali për vite me gruan e tij. Ajo ishte në vendin e aksidentit dhe vëzhgoi përpjekjet e ekipeve të shpëtimit. Dy punëtorë të tjerë rumunë, miq dhe kolegë, mbijetuan me lëndime të lehta.

“E gjitha ndodhi brenda pak sekondash. Një re e madhe pluhuri na mbështolli, ndërsa copa të murit po binin kudo. Mendova vetëm të dilja që andej. Pashë një tub uji nga një ballkon dhe kisha ndërmend të zbrisja, por për fat të mirë zjarrfikësit na shpëtuan”, tha një prej tyre.

Hetimet për shkaqet e shembjes janë duke vazhduar, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë nëse ka pasur dështime në ndërtim apo përkeqësim të monumentit historik.

Top Channel