Ish-komandantit të Serbisë, Ratko Mlladiç, i është konfirmuar dënimi me burgim të përjetshëm për krimet e kryera në vitet e ’90-a në Bosnje e Hercegovinë.

Apeli i Tribunalit të Hagës e shpalli fajtor Mlladiçin për terrorizëm të popullsisë civile dhe gjenocidin në Srebrenicë, ku gjatë vitit 1995 ishin masakruar mbi 8000 burra e djelmosha myslimanë.

Mladiq, para katër vjetësh, qe dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës. Por, si mbrojtja ashtu edhe prokuroria u ankuan, duke çuar çështjen në shkallën e dytë.

Ratko Mlladiç u arrestua më 26 maj 2011 në Serbi, pas 16 vjetësh duke i shpwtuar drejtësisë.

Procesi gjyqësor ndaj Mlladiçit

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë paditi Ratko Mlladiçin më 24 korrik 1995. Pas 16 vjetësh në arrati, ai u paraqit në gjykatë për herë të parë në korrik të vitit 2011.

Mlladiç, një ish-gjeneral, ka qenë pjesëmarrës në luftën e Bosnje dhe Hercegovinës në vitet 92-95 si komandant i ushtrisë së serbëve të Bosnjës.

Në vitin 2017, Haga e ka dënuar Mlladiçin – në shkallë të parë – me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës.

Gjyqi kundër tij kishte filluar në vitin 2012 dhe ka zgjatur gjithsej 530 ditë.

Pas shpalljes së vendimit, mbrojtja dhe prokurorët apeluan vendimin, dhe shpallja e vendimit përfundimtar bëhet sot (8 qershor).

Mbrojtja kishte kërkuar që ai të lirohej ose që lënda të kthehej në rigjykim. Ndërsa, prokuroria kishte kërkuar që Mlladiç të shpallet fajtor për gjenocid edhe në gjashtë komuna të tjera të Bosnje dhe Hercegovinës, përveç Srebrenicës. Ai 

ishte dënuar për gjenocid ndaj boshnjakëve në Srebrenicë, në verën e vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem, për përndjekje të myslimanëve dhe kroatëve nga Bosnja, për terrorizim të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe marrje peng të pjesëtarëve të misionit të huaj, UNPROFOR, gjatë luftës në Bosnje.

Deri më tani, në qytetin e Srebrenicës janë gërmuar 94 varre masive dhe janë identifikuar eshtrat e më shumë se 6,900 personave të vrarë nga forcat e ushtrisë serbe. Më shumë se 1,000 banorë të zhdukur të Srebrenicës, kërkohen ende.