Një vendim i Gjykatës së Apelit për rajonin e Epërm të Norrland-it ka shkaktuar zemërim të madh ndërkombëtar, pas vendosjes që azilanti eritrean, Yazied Mohamed, i dënuar për përdhunimin e 16-vjeçares, Meya Åberg, të mos dëbohet nga Suedia pas përfundimit të dënimit të tij prej tre vitesh burg. Arsyeja që dha gjykata për këtë vendim ishte ajo që e quajti “kohëzgjatja e aktit”, duke argumentuar se përdhunimi nuk kishte zgjatur mjaftueshëm për t’u konsideruar një “krim jashtëzakonisht i rëndë”.

Në deklaratën e tij, gjykata theksoi se, megjithëse përdhunimi ishte i rëndë, ai nuk përbënte një shkelje aq të rëndë sa të justifikonte dëbimin e autorit nga vendi, duke shtuar se për të vlerësuar një krim si jashtëzakonisht të rëndë, duhen marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit.

Ky vendim ka shkaktuar indignatë të gjerë, përfshirë mes politikanëve dhe ekspertëve të drejtësisë. Donald Trump Jr., për shembull, reagoi ashpër, duke e cilësuar këtë vendim si një shembull të moralit të prishur në Europë, ku përdhunimi konsiderohet si diçka të cilën mund ta kalosh me kalimin e kohës. Po ashtu, eurodeputeti kroat, Stephen Nikola Bartulica, e cilësoi këtë vendim si një dështim të sistemit gjyqësor dhe kërkoi që gjyqtarët që morën këtë vendim të mbajnë përgjegjësi.

Për më tepër, ky vendim ka nxjerrë në pah debatet e gjerë mbi ligjin suedez dhe politikën e tij të imigracionit. Ligji suedez lejon dëbimin e personave të cilët kryejnë krime “jashtëzakonisht të rënda”, por ky rast ka ngritur pyetje mbi cilësinë dhe drejtësinë e këtij sistemi, duke sugjeruar se ai mund të jetë i mangët në mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale.

Meya Åberg, e cila tani është 17 vjeç, ka folur hapur për traumën që ka përjetuar pas sulmit. Ajo ka shpjeguar se, pas ngjarjes, ka ndjerë faj dhe frikë, duke menduar se mund të ishte më rezistente gjatë sulmit, por kishte frikë se agresori mund ta vriste. “E urrej dhe më ka shkatërruar jetën,” tha ajo në një intervistë.

Ngjarja ndodhi më 1 shtator të vitit të kaluar, kur Meya, pasi kishte mbaruar turnin në McDonald’s, humbi autobusin dhe u sulmua në një tunel për këmbësorë në qytetin Skellefteå. Ajo u përdhunua nga Yazied Mohamed, i cili i mori telefonin dhe e tërhoqi me forcë në tunel, përpara se ajo të arrinte të shpëtonte dhe të vraponte drejt qytetit.