Procesi gjyqësor për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Maradona, ka vijuar në gjykatën e San Isidro, ku dëshmitë e reja kanë hedhur dritë mbi rrethanat e fundit të jetës së ikonës argjentinase.

Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një edema pulmonare. Aktualisht, shtatë anëtarë të ekipit mjekësor që kujdeseshin për të po përballen me akuza për neglizhencë kriminale, një vepër penale që mund të dënohet deri në 25 vite burg.

Një nga dëshmitarët, Carlos Cotaro, deklaroi para gjykatës se stafi mjekësor ushtronte kontroll të plotë mbi komunikimet e Maradonës, duke kufizuar edhe kontaktet e tij me familjarët. Sipas tij, sekretari personal i ish-futbollistit, Maximiliano Pomargo, vendoste se kush mund ta vizitonte.

Cotaro pohoi gjithashtu se telefonatat e Maradonës shpesh mbeteshin pa përgjigje dhe se kushtet në shtëpinë ku ai po trajtohej nuk ishin të përshtatshme për gjendjen e tij shëndetësore.

Në seancë dëshmoi edhe nefrologu Pedro Di Spagna, i cili tha se gjatë dy vizitave në rezidencën e Maradonës kishte konstatuar një situatë të rëndë dhe se ishte penguar të vazhdonte kontrollet mjekësore.

Një nga momentet më prekëse të procesit ishte dëshmia e vajzës së madhe të ish-futbollistit, Dalma Maradona. Ajo akuzoi drejtpërdrejt neurokirurgun Leopoldo Luque, psikiatren Agustina Cosachov dhe psikologun Carlos Díaz, duke i konsideruar përgjegjës për dështimin e trajtimit të të atit.

Sipas saj, familja kishte pranuar trajtimin në shtëpi vetëm pasi mjekët kishin premtuar monitorim 24-orësh, pajisje të specializuara dhe një ambulancë në gatishmëri të përhershme, premtime që, sipas saj, nuk u mbajtën.

“Askush nuk e mori situatën nën kontroll”, deklaroi Dalma para gjykatës.

Nga ana tjetër, mbrojtja këmbëngul se vdekja e Maradonës erdhi si pasojë e problemeve të shumta shëndetësore dhe sëmundjeve kronike nga të cilat ai vuante prej vitesh. Megjithatë, prokuroria argumenton se trajtimi në shtëpi nuk ishte i përshtatshëm për gjendjen e tij dhe se neglizhenca e stafit mjekësor mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në vdekjen e një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit.

Gjykata pritet të vijojë shqyrtimin e çështjes në seancat e ardhshme.