Më shumë se gjysma e territorit të Anglisë është shpallur në gjendje thatësire, ndërsa vendi po përjeton një nga periudhat më të thata të regjistruara ndonjëherë. Autoritetet paralajmërojnë se mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta kanë krijuar një situatë kritike në shumë rajone.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, korriku është muaji më i thatë në histori, me reshje që kanë zbritur në nivele rekord. Në nivel kombëtar është regjistruar vetëm 7% e sasisë normale të reshjeve për këtë periudhë, ndërsa në jug të Anglisë ato kanë arritur vetëm 1% të mesatares sezonale.

Thatësira ka prekur një pjesë të madhe të vendit, përfshirë Anglinë Lindore, Hertfordshire, Londrën e Madhe, Luginën e Thames, Hampshire, Wye, Devon, Cornwall dhe Midlands Perëndimore. Edhe zona të tjera po përballen me kushte të zgjatura të mungesës së reshjeve.

Autoritetet bëjnë të ditur se nivelet e lumenjve dhe përrenjve po bien ndjeshëm, fermerët janë detyruar të përshpejtojnë korrjet, ndërsa rreziku për zjarre është rritur. Në të njëjtën kohë, miliona banorë kanë nisur të kufizojnë konsumin e ujit.

“Aktualisht po e përdorim ujin më shpejt sesa natyra mund ta rimbushë. Vala e dytë radhazi e thatësirës, pas asaj të vitit 2025, po krijon një situatë jashtëzakonisht serioze me pasoja afatgjata për mjedisin, jetën e egër dhe ekonominë”, deklaroi Helen Wham, drejtoreshë për burimet ujore dhe kryetare e Komitetit Kombëtar të Thatësirës.

Pas mbledhjes së komitetit, autoritetet u kanë bërë thirrje kompanive të furnizimit me ujë të përshpejtojnë riparimin e rrjedhjeve në rrjet për të reduktuar humbjet.

Ndërkohë, Anglia ka përjetuar tre valë të njëpasnjëshme të të nxehtit që nga muaji maj, ndërsa një valë e katërt vijon të prekë vendin. Qershori u regjistrua si muaji më i nxehtë në Angli që nga viti 1884, me temperaturën më të lartë prej 38 gradë Celsius, të shënuar më 26 qershor në Lingwood, në lindje të vendit.