Muajin e kaluar, Kina ka shënuar rënien më të madhe në eksporte për më shumë se tre vjet.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara më 8 gusht, shitjet e produkteve kineze në tregjet e huaja ranë për 14.5 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo është rënia e tretë radhazi e eksporteve kineze.

Rënia e eksporteve është më e madhe sesa pritej dhe më e rënda, që prej rënies prej 17.2 për qind në janar-shkurt 2020, kur ekonomia u godit në javët e para të shpërthimit të pandemisë COVID-19.

Përveç një rritjeje të shkurtër në mars dhe prill, eksportet kanë qenë në rënie të vazhdueshme që nga tetori. Kërcënimi nga recesioni në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, së bashku me inflacionin e lartë, kanë kontribuar në dobësimin e kërkesës ndërkombëtare për produktet kineze në muajt e fundit.

Eksportet kanë rënë për 12.4 për qind krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Dërgesat për në Bashkimin Evropian në shtatë muajt e parë të vitit kanë qenë 288.9 miliardë dollarë, apo 2.6 për qind më të ulëta, u tha në njoftimin e autoritetit të doganave.

Ndërkaq, importet janë tkurrur për 12.4 për qind, për muajin e nëntë me radhë.

“Shifrat e tregtisë së Kinës për muajin qershor janë sërish zhgënjyese”, tha Ken Cheung Kin Tai, analist në Bankën Mizuho.

Shifrat e fundit të tregtisë janë treguesi i fundit se rimëkëmbja e Kinës pas pandemisë ka mbaruar.

Ekonomia u rrit vetëm për 0.8 për qind në periudhën prill-qershor, ndërkaq papunësia në mesin e të rinjve arriti në shifër rekord prej më shumë se 20 për qind.

Sektori i pronave vazhdon të jetë i trazuar, me zhvilluesit e mëdhenj që po dështojnë të përfundojnë projektet për ndërtimin e shtëpive, që kanë nxitur protesta dhe bojkotim të pagesave të hipotekave nga personat që kanë blerë shtëpi.

Muajin e kaluar, Këshilli Shtetëror i Kinës publikoi një plan prej 20 pikash për rritjen e konsumit të përgjithshëm, përfshirë strehimin, kulturën dhe turizmin, por edhe konsumin e gjelbër, sikurse janë automjetet elektrike.

Banka Qendrore po ashtu në javët e fundit ka ulur disa norma të interesit në përpjekje për të ringjallur ekonominë.

Megjithatë analistët kanë paralajmëruar se rritja e borxhit të Qeverisë vendore dhe vendosmëria e zyrtarëve që ta vendosin vendin në një trajektore të rritjes së qëndrueshme ekonomike, nënkupton se masat e ndërmarra më herët nuk do të merren sërish./ REL

Pekini synon që të regjistrojë një rritje prej 5 për qind gjatë këtij viti, që përbën një prej synimeve më të ulëta që ky shtet aziatik ka vendosur për dekada të tëra. /REL