Një operacion i gjerë i policisë ekuadoriane ka çuar në arrestimin e ish-kryebashkiakut të Camilo Ponce Enrique, Elias Baldor Bermeo, i njohur me nofkën “BB”, i cili akuzohet se ishte financuesi kryesor i organizatës kriminale Los Lobos.

Sipas Ministrit të Brendshëm të Ekuadorit, John Ryberg, Bermeo konsiderohet një nga figurat kyçe që ka mbështetur financiarisht aktivitetin e grupit kriminal, i përfshirë në trafikun e drogës, minierat e paligjshme dhe sulme me lëndë shpërthyese.

Arrestimi u krye gjatë një operacioni në provincën Azuay, ku autoritetet vunë në pranga gjithsej gjashtë persona, mes tyre edhe familjarë të ish-zyrtarit. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi edhe shufra ari me imazhin e bosit të ndjerë të drogës, Pablo Escobar.

Sipas hetimeve, Bermeo dyshohet se ka organizuar aktivitetet e minierave të paligjshme, të cilat kanë shërbyer si një nga burimet kryesore të financimit për organizatën Los Lobos. Autoritetet pretendojnë se gjatë viteve 2023–2025 ai ka qarkulluar rreth 3.2 milionë dollarë përmes kompanive të lidhura me sektorin minerar.

Operacioni vjen në kuadër të ofensivës së qeverisë së presidentit Daniel Noboa kundër grupeve kriminale dhe karteleve të drogës, një fushatë që po zhvillohet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe synon goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës dhe aktiviteteve të paligjshme minerare.