Greqia po shqyrton mundësinë e krijimit të qendrave për kthimin e migrantëve të parregullt jashtë Bashkimit Evropian dhe sheh Gjermaninë si një partnere të mundshme.

Kjo u bë me dije nga ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, duke folur për transmetuesin shtetëror ERTneës, Plevris tha se qendrat do të strehojnë migrantët që nuk mund të rikthehen në vendet e tyre të origjinës.

Ai shtoi se Gjermania kishte nisur një nismë serioze dhe Greqia kishte shprehur zyrtarisht interes.

”Ne jemi tashmë në bisedime me vende afrikane të sigurta që mund të pranojnë migrantët ilegalë”, tha Plevris.

Sipas mediave të huaja, Ministria e Brendshme gjermane tha se po punon për një proces për krijimin e ashtuquajturave qendra rikthimi, ndërsa një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse po zhvillohet aktualisht në nivel evropian.

Ministria nuk dha më shumë detaje mbi bisedimet me vende të tjera të BE-së ose jashtë saj. Sipas ministrit grek, qendrat e rikthimit do të përfshijnë dy kategori. Kategoria e parë do të jenë objekte të sigurta nën kontrollin e BE-së, ku vendet partnere afrikane do të ofrojnë mbështetje.

Kategoria e dytë do të përfshijë vende që konsiderohen më pak të sigurta, si Libia, ku migrantët gjithashtu mund të strehohen. Sipas Plevris, qendrat e rikthimit do të kenë një efekt të fortë parandalues dhe do të reduktojnë migracionin ilegal në afat të gjatë.