Vetëm pak ditë pasi dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë, Wes Streeting ka konfirmuar se do të kandidojë kundër Keir Starmer për udhëheqjen e Partisë Laburiste dhe për postin e kryeministrit së Britanisë.

“Na duhet një garë e mirëfilltë me kandidatët më të mirë në fushë dhe unë do të kandidoj”, theksoi ai, raportojnë mediat britanike.

Ai theksoi se votuesit, në zgjedhjet lokale, i dërguan një mesazh të qartë Partisë Laburiste, e cila pësoi humbje të ndjeshme. Streeting tha se nëse Starmer do të bënte “gjënë e duhur dhe të përgjegjshme”, Partia Laburiste mund ta mposhte partinë Reforma të Nigel Farage. Streeting bëri thirrje gjithashtu që Mbretëria e Bashkuar të ribashkohet me Bashkimin Evropian, duke thënë se “e ardhmja e Britanisë është me Evropën”.

Ish-sekretari i Shëndetësisë tha se largimi nga BE ishte një “gabim katastrofik”, duke shtuar se na duhet një “marrëdhënie e re speciale” me bllokun tregtar.

“Në vitin 2026, populli britanik e sheh gjithnjë e më shumë se në një botë të rrezikshme, ne duhet të bashkohemi, si për të rindërtuar ekonominë dhe tregtinë tonë, ashtu edhe për të përmirësuar mbrojtjen tonë kundër kërcënimeve të përbashkëta nga agresioni rus dhe ‘Amerika e Para’. Mundësia më e madhe ekonomike që kemi është në pragun tonë. Ne kemi nevojë për një marrëdhënie të re speciale me BE-në, sepse e ardhmja e Britanisë është me Evropën, dhe një ditë përsëri në Bashkimin Evropian”, u shpreh ish ministri.