Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL), e financuar nga SHBA-ja, do të mbyllë sot shërbimin e saj në Hungari – duke i dhënë fund një projekti 5-vjeçar – që zyrtarët amerikanë thonë se binte ndesh me prioritetet e politikës së jashtme të presidentit Donald Trump në një vend të udhëhequr nga një prej aleatëve të tij më të ngushtë në Evropë.
RFE/RL, u themelua në vitin 1950 për të transmetuar në shtetet komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, duke u shtrirë më pas në të gjithë Evropën Lindore, Rusi, Ukrainë, Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme.
Misioni i saj i deklaruar është të promovojë gazetarinë e pavarur dhe lirinë e medias.
Shërbimi në gjuhën hungareze, i mbyllur fillimisht në vitin 1993, u rivendos në vitin 2020.
Mbyllja vjen ndërsa administrata Trump vazhdon të reduktojë buxhetin e Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), e cila mbikëqyr RFE/RL.
Kari Lake, e emëruar nga Trump në krye të agjencisë, tha këtë muaj se taksapaguesit amerikanë nuk duhej të financonin programe që “destabilizonin” Hungarinë.
Në një letër drejtuar Kongresit më datë 5 nëntor dhe të postuar më vonë në mediat sociale, Lake argumentoi se mbulimi i RFE/RL kishte minuar politikën e jashtme të Trump – duke kundërshtuar kryeministrin e “zgjedhur në mënyrë të rregullt” të Hungarisë, Viktor Orban.
Hungaria është një nga vetëm tre shtetet e BE-së ku transmetuesi ende vepronte.
