Policia spanjolle ka realizuar një nga goditjet më të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke sekuestruar një sasi rekord të dyshuar kokaine gjatë një operacioni në Oqeanin Atlantik, pranë Ishujve Kanarie.
Operacioni u zhvillua nga Garda Civile, e cila ndaloi një anije në ujëra ndërkombëtare dhe arrestoi rreth 20 persona në bord. Sipas autoriteteve, janë sekuestruar mes 35 dhe 40 ton kokainë, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si një “sekuestrim historik” në nivel kombëtar.
Anija, e cila aktualisht po i nënshtrohet kontrolleve të detajuara në Ishujt Kanarie, dyshohet se ishte nisur nga Freetown i Sierra Leones me destinacion Bengazin në Libi. Hetuesit besojnë se droga kishte për qëllim të transferohej në mjete më të vogla lundruese për t’u shpërndarë më pas në tregun evropian.
Spanja mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së kokainës në Evropë, për shkak të pozicionit strategjik dhe lidhjeve të saj me Amerikën Latine, si dhe afërsisë me Marokun.
Ky operacion vjen në vijim të disa goditjeve të mëdha të mëparshme. Në vitin 2024, autoritetet sekuestruan 13 ton kokainë në portin e Algeciras, ndërsa në janar të këtij viti u kap një tjetër ngarkesë prej rreth 10 tonësh në det.
Hetimet vijojnë për të identifikuar dhe goditur të gjithë rrjetin ndërkombëtar të përfshirë në këtë trafik.
