Një grabitje e sofistikuar ka tronditur provincën e Reggio Calabria-s të Italisë, kur një grup komando i armatosur ka sulmuar një automjet të blinduar përgjatë autostradës.
Sipas informacionit të parë, vlera e parave të grabitura arrin në rreth dy milionë euro.
Ngjarja ka ndodhur në një tunel që ndodhet midis kryqëzimeve të Scilla dhe Bagnara, në drejtim të veriut. Kriminelët kanë arritur të ndalonin automjetin e blinduar dhe gjatë sulmit u dëgjuan të shtëna armësh. Për fat të mirë, asnjë nga punonjësit që ndodheshin në furgon nuk është plagosur.
Autoret e krimit, për të ndaluar çdo mundësi ndihme dhe për të bllokuar trafikun, kishin vendosur dy automjete të djegura në rrugë dhe kishin shpërndarë gofla metalike mbi asfalt, duke shkaktuar një bllokim të plotë të qarkullimit dhe duke e bërë të pamundur largimin e automjetit të blinduar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit dhe patrullat e policisë, të cilët kanë siguruar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbuluar identitetin e autorëve. Ky operacion i grabitësve tregon një nivel të lartë organizimi dhe përgatitjeje, dhe policia po punon ngushtë për të zbardhur çdo detaj të ngjarjes.
