Emiliano Krosi, një shqiptar 24-vjeçar, është dënuar me 13 vite burg pasi u gjet fajtor për 33 vjedhje, përfshirë grabitjen e rezidencës së yllit të futbollit, Raheem Sterling, gjatë Kupës së Botës 2022. Aksioni i Krosis ndodhi më 3 dhjetor 2022, kur ai përdori një shkallë për të ngjitur në dritaren e dhomës së gjumit të futbollistit dhe vodhi disa orë Rolex dhe pasuri të tjera me vlerë rreth 300,000 paund.

Krosi, i cili udhëtoi ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të një kamioni, kishte pranuar më parë se ishte i përfshirë në 15 vjedhje, por gjatë procesit gjyqësor doli se ai kishte marrë pjesë në 18 grabitje të tjera, duke përfshirë ato të viktimave të tjera të njohura, si ish-lojtari i Crystal Palace, Scott Dann, dhe futbollisti i Chelseat, Marc Cucurella.

Në një seancë gjyqësore në gjykatën e kurorës në Guilford, gjyqtarja Catherine Hartley e dënoi Krosin me 12 vjet e 10 muaj burg, duke theksuar numrin e madh të krimeve të tij.

Përveç Krosis, policia e Surrey është angazhuar në kërkimin e disa personave të tjerë të dyshuar si pjesë e bandës, përfshirë babanë e tij, Alfred Isufi (48 vjeç), xhaxhain Henri Osman (44 vjeç) dhe kushëririn 22-vjeçar Gerard Kalaja. Ata dyshohet se janë arratisur dhe janë të përfshirë në serinë e grabitjeve që kanë ndodhur në qarqe të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar nga nëntori i vitit 2022 deri në mars të vitit 2023.