Një gjurmë ADN-je ka luajtur rol kyç në zbardhjen e grabitjes që tronditi Muzeun e Luvrit, duke çuar në identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve të shtunën në mbrëmje. Sipas raportimeve të BFMTV, një nga dy të arrestuarit u kap falë një gjurme ADN-je të gjetur në vendin e ngjarjes.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, njoftoi se mbi 150 mostra ADN-je, gjurmë gishtash dhe prova të tjera ishin mbledhur nga vendi i krimit, për të ndihmuar në hetimin e këtij incidenti që është cilësuar si “grabitja e shekullit”. Shefja e policisë mjeko-ligjore, Perrine Rogiez-Thubert, tha për BFMTV se hetuesit kishin përpunuar prova të ndryshme, si gjak, pështymë dhe spermë, por gjithashtu edhe prova më të dobëta nga objekte që mund të kenë prekur autorët.
Në vendngjarje u gjetën sende që mund të përmbanin ADN, përfshirë një helmetë, një radio dore, jelek të verdhë dhe rrota prerëse metalesh. Mostrat e marra u dërguan në laborator për të ndihmuar në ndërtimin e profileve gjenetike të personave të përfshirë.
Hetimi mori një përshpejtim të rëndësishëm pasi një nga të dyshuarit tentoi të arratisej dhe u identifikua përmes testimeve të ADN-së, duke rezultuar në arrestimin e tij. Të dy të dyshuarit janë rreth 30 vjeç dhe banues të Aubervilliers, një zonë periferike në veri të Parisit. Megjithëse roli i tyre në grabitje nuk është plotësisht i qartë, ata konsiderohen si “dyshuarit kryesorë” për këtë vepër kriminale.
Sipas gazetës “Le Monde”, njëri nga të arrestuarit ka shtetësi franceze dhe algjeriane dhe u kap në aeroportin Roissy–Charles de Gaulle, ndërkohë që po përgatitej të udhëtonte drejt Algjerisë. I dyshuari tjetër është shtetas francez. Hetimi është ende në zhvillim dhe policia po punon për të zbuluar bashkëpunëtorët dhe për të lokalizuar plaçkën e grabitur, e cila vazhdon të mbetet e pagjetur.
