Pamje të jashtëzakonshme janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në Milton Keynes, një qytet rreth 80 kilometra në veriperëndim të Londrës, ku disa persona të maskuar kanë vjedhur një bankomat duke përdorur një eskavator për ta nxjerrë nga muri i një supermarketi.
Në videot e xhiruara nga banorët e habitur, shihet momenti kur eskavatori shkatërron fasadën e ndërtesës, nxjerr bankomatin dhe e tërheq jashtë, duke shkaktuar dëme të mëdha strukturore. Hajdutët, të mbuluar me kapuçë, ngarkojnë më pas pajisjen në karrocën e një kamioni dhe largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Sipas policisë britanike, bankomati u gjet i braktisur më vonë në një rrugë afër, ndërsa autorët e grabitjes janë ende në kërkim. Hetimet për ngjarjen kanë nisur, dhe autoritetet u kanë bërë thirrje dëshmitarëve të mundshëm që të ndajnë çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve.
Ngjarja është bërë virale në rrjetet sociale, ku videoja e grabitjes është shpërndarë gjerësisht, duke nxitur reagime të shumta. Përdoruesit në platformën X (ish-Twitter) kanë komentuar si mbi guximin e pazakontë të hajdutëve, ashtu edhe mbi faktin se shumë bankomate moderne janë të pajisura me sisteme sigurie që spërkasin paratë me bojë për t’i bërë ato të papërdorshme pas vjedhjeve.
