Një grup prej gjashtë burrash të armatosur që u maskuan si zyrtarë të Bankës Rezervë të Indisë grabitën 70 milionë rupi (rreth 800,000 dollarë) nga një furgon transporti parash në Bengaluru, Karnataka.

Policia ka nisur një operacion për kapjen e autorëve. Grabitja ndodhi të mërkurën pasdite në një nga rrugët më të ngarkuara të qytetit.

Gjashtë persona që udhëtonin me një SUV ndaluan furgonin, i cili transportonte para midis dy degëve bankare. Brenda furgonit ishin një shofer, një arkëtar dhe dy roje të armatosur.

Grabitësit pretenduan se ishin zyrtarë të Bankës Qendrore dhe se duhej të verifikonin dokumentet e transportit të shumës së madhe të parave. Ata arritën t’i bindnin rojet të linin armët në furgon dhe të hipnin në SUV, ndërsa shoferit i kërkuan të vazhdonte lëvizjen me mjet.

SUV-i ndoqi furgonin për disa kilometra, përpara se grabitësit të ndalonin shoferin me forcë, të detyronin stafin të zbriste nga mjetet dhe t’i transferonin paratë nën kërcënimin e armëve. Më pas, banda u zhduk, duke përdorur, sipas policisë, automjete të shumta për të humbur gjurmët.

Policia thotë se skena kishte pak kamera sigurie dhe automjeti SUV kishte targë të rreme si dhe një banderolë ku shkruhej “Qeveria e Indisë”.