Shihet një numër i madh portofolash për të siguruar balancën politike brenda Syriza-s
Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar dje në mesditë në dy pjesë në Athinë, është betuar “Qeveria 2” e kryesuar nga Kryeministri grek, Aleksis Cipras, brenda 9 muajve të fundit. Pas betimit të vetë Kryeministrit dy ditë më parë në Presidencë, dje janë parë në fillim duke u betuar tradicionalisht me dorën mbi Bibël, 12 anëtarë të kabinetit të ri, e më pas 33 të tjerët, që kanë preferuar të kryejnë vetëm betimin zyrtar. Emërimi i kabinetit të ri në Greqi nuk ka pasur surpriza dhe Cipras, sipas analistëve, me zgjedhjen e tij ka siguruar huadhënësit se do të vazhdojë të respektojë marrëveshjen e ndihmës dhe do të zbatojë reformat.
Financat, sërish Cakalatos
Kjo pasi, në drejtimin e Ministrisë më të rëndësishme, atë të Financave, ka emëruar përsëri Euklid Cakalotos, bashkë me ministrin plotësues, Jorgos Huliarakis, që luajtën një rol të rëndësishëm dhe vendimtar gjatë negociatave të fundit me kreditorët, duke arritur nënshkrimin e marrëveshjes së shpëtimit dhe duke shmangur katastrofën e plotë për vendin. Gjithashtu, një rol të rëndësishëm në qeverinë e re pritet të luajë ministri i ri i Politikave të Emigracionit, në një moment tepër kritik jo vetëm për Greqinë, por edhe për Europën, që po përballon krizën më të madhe të refugjatëve nga Lufta e Dytë Botërore.
Janis Moizalas është një anëtar aktiv i organizatës “Mjekët pa Kufij” dhe ka marrë pjesë në shumë misione humanitare, në shumë zona të nxehta në Lindjen e Mesme.
Kabineti i ri, me 14 ministri
Kabineti i ri me 14 ministri përbëhet nga 45 personalitete të fushave të ndryshme. 7 prej të emëruarve në postet e ministrave janë gra. Numri i madh i ministrave plotësues dhe zëvendësministrave vlerësohet se është bërë edhe për ruajtjen e balancave politike brenda gjirit të Syriza-s, që ende nuk është qetësuar nga përçarja dhe largimi i platformës marksiste, dy muaj më parë. Gjithashtu, edhe për të përballuar probleme të mprehta në sektorët e ekonomisë, industrisë, arsimit dhe politikës së jashtme. Kreu i diplomacisë greke ka mbetur përsëri Nikos Kocias, ndërsa edhe në ministritë kryesore nuk kanë ndryshuar anëtarët e Syriza-s, që kanë mbështetur fuqishëm Kryeministrin Cipras. Gjithashtu, pesë prej posteve mbajnë aleatët qeveritarë të Partisë Grekët e Pavarur, prej të cilëve udhëheqësi i tyre, Panos Kamenos, ka rimarrë Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa katër pjesëtarë të kabinetit vijnë nga gjiri i socialistëve të PASOK-ut, që u shkëputën nga kjo parti dy vite më parë. Ndër komentet më karakteristike të shtypit grek për kabinetin e ri, veçohen titujt e gazetave që flasin për një qeveri kopje të së mëparshmes apo qeveri të balancave politike, ndërsa ministrat që do të përballen me reformat, janë konsideruar si “grupi i misioneve të rrezikshme”.