Nëse brenda së enjtes nuk arrihet një marrëveshje, vendi do të shkojë sërish në votime në mes të qershorit


Presidenti grek, Karolos Papoulias, ka thirrur nesër krerët e tre partive kryesore në vend, për një konsultim final për krijimin e një qeverie emergjence, si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të përgjithshme, në mesin e muajit qershor. Kreu i shtetit helen ka ftuar përfaqësuesit e së majtës radikale Syriza, konservatorët e Nea Demokracia dhe socialistët e Pasok.


Lideri socialist grek, Evangelos Venizelos, ia ka atribuuar presidentit të vendit formimin e qeverisë së re. Pasoku i Venizelosit është partia e tretë që ka dështuar në tentativën për të krijuar një mazhorancë parlamentare, pas votimeve të së dielës së kaluar.


Më herët tentuan Demokracia e Re dhe koalicioni i së majtës radikale, Syriza, të cilët ofronin një plan për të denoncuar masat e BE dhe FMN. Nëse partitë greke nuk arrijnë të realizojnë një marrëveshje brenda së enjtes së ardhshme, rikthimi në votime do të jetë i pashmangshëm, duke u shoqëruar me rrezikun e largimit të vendit nga Zona Euro dhe një rikthim tek monedha vendase, Dhrahmia.


12 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)