Ndërsa vazhdojnë negociatat me trojkën, në sheshet e Athinës janë rikthyer protestat kundër masave shtrënguese të parashikuara nga qeveria. Marrëveshja me kreditorët ndërkombëtarë për shkurtimet buxhetore në këmbim të një kësti të ri të ndihmës prej rreth 31 miliardë eurosh është ende larg, ndonëse trojka është kthyer përsëri, në mes të protestave të forta në Athinë.


Qindra punonjës komunalë nuk ngurruan t’u hipnin motorëve në protestën e radhës për të ngritur zërin kundër reduktimeve të pagave dhe shkurtimeve në fondet për komunat. Tramvajet në kryeqytet u ndalën për rreth 6 orë, ndërsa grevë është paralajmëruar dhe nga punonjësit e sektorit shëndetësor.


Protesta kundër masave shtrënguese e shkurtimit të vendeve të punës janë mbajtur dhe në kryeqytete të tjera evropiane si Bruksel, Paris e Lisbonë.


3 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)