Greqia dhe tetë vende të tjera të Bashkimit Evropian kërkojnë shtrëngimin e rregullave për ribashkimin familjar të refugjatëve dhe emigrantëve që qëndrojnë ligjërisht në territorin evropian. Në një letër të përbashkët drejtuar Komisionerit Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, ministrat e nëntë vendeve kërkojnë rishikimin e Direktivës 2003/86/KE, e cila përcakton kushtet për ribashkimin familjar.
Nisma është firmosur nga Greqia, Austria, Italia, Holanda, Polonia, Republika Çeke, Finlanda, Bullgaria dhe Luksemburgu. Nga pala greke, letrën e ka nënshkruar ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris. Qeveritë argumentojnë se numri i madh i mbërritjeve të refugjatëve dhe emigrantëve ka shtuar presionin mbi shërbimet publike, veçanërisht në arsim, strehim, kujdes shëndetësor dhe integrimin në tregun e punës.
Çfarë kërkojnë nëntë vendet?
Ministrat kërkojnë që Komisioni Evropian të propozojë ndryshime ligjore, të cilat do t’u japin vendeve anëtare më shumë fleksibilitet për të vendosur kushte dhe kufizime në procedurat e ribashkimit familjar.
Aktualisht, kjo e drejtë u mundëson shtetasve të vendeve të treta që qëndrojnë ligjërisht në BE të kërkojnë bashkimin me familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët dhe fëmijët e mitur. Për refugjatët e njohur parashikohen rregulla më të favorshme, pasi ata shpesh nuk mund të kthehen në vendet e origjinës për të jetuar me familjet e tyre.
Asnjë ndryshim i menjëhershëm në rregulla
Letra e nëntë qeverive nuk sjell automatikisht kufizime të reja. Çdo ndryshim do të varet nga propozimet e ardhshme të Komisionit Evropian dhe procesi legjislativ në nivel të BE-së. Austria është një prej vendeve që ka ndërmarrë tashmë masa kufizuese, duke pezulluar përkohësisht procedurat për kategori të caktuara të personave me mbrojtje ndërkombëtare dhe duke vendosur një sistem kuotash.
Për Greqinë, pjesëmarrja në këtë nismë shënon një tjetër përpjekje për të ndikuar në politikën e përbashkët evropiane të migracionit, përtej kontrolleve kufitare dhe procedurave të kthimit. Nisma vjen gjithashtu në një kohë kur Athina po merr pjesë në diskutimet me Ruandën dhe katër vende të tjera evropiane për krijimin e një qendre kthimi për emigrantët, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar. Megjithatë, bëhet fjalë për dy iniciativa të ndryshme: njëra lidhet me kthimin e personave pa të drejtë qëndrimi, ndërsa tjetra synon ndryshimin e rregullave për bashkimin e familjeve të personave që jetojnë ligjërisht në BE.
