Autoritetet greke kanë rritur nivelin e gatishmërisë së forcave të rendit, në prag të protestave masive të paralajmëruara nga studentët, nxënësit dhe mësuesit. Masat e shtuara të sigurisë vijnë në një kohë kur disa vende europiane, përfshirë Francën, Italinë, Belgjikën dhe Shqipërinë, janë përballur me protesta dhe incidente të dhunshme.

Mobilizimi i sindikatave të arsimit ka vënë në lëvizje edhe Ministrinë greke të Mbrojtjes së Qytetarit. Sindikatat e arsimit fillor kanë njoftuar një grevë 24-orëshe, ndërsa ato të arsimit të mesëm kanë paralajmëruar ndërprerje të procesit mësimor.

Ndërkohë, studentët pritet t’i nisin tubimet që mbrëmjen e sotme, duke vendosur çadra përpara Parlamentit në Athinë dhe në sheshin e Shën Sofisë në Selanik.

Në qendër të protestave janë vështirësitë ekonomike me të cilat përballen studentët, veçanërisht kostot e larta të strehimit, rritja e qirave dhe mungesa e kapaciteteve në konvikte. Përfaqësuesit e organizatave studentore theksojnë se shpenzimet për shkollimin e fëmijëve larg vendbanimit janë kthyer në një barrë gjithnjë e më të rëndë për familjet greke.

Protestave të së nesërmes pritet t’u bashkohen edhe prindërit. Krahas kërkesave të studentëve për më shumë fonde për universitetet publike dhe mbështetje financiare për strehimin, mësuesit kërkojnë rritje pagash, plotësimin e vendeve vakante në arsim dhe përmirësimin e sigurisë në institucionet shkollore.

Tubime janë paralajmëruar jo vetëm në Athinë dhe Selanik, por edhe në Patra dhe qytete të tjera të Greqisë.

Policia greke ka bërë të ditur se do të lejojë vendosjen e çadrave në sheshin Sintagma, por ka paralajmëruar se do të ndërhyjë nëse protestat shoqërohen me akte dhune. Autoritetet po përgatisin gjithashtu masa të posaçme për mbrojtjen e bizneseve dhe selive diplomatike, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e mbylljes së disa stacioneve të metrosë në qendër të Athinës dhe Selanikut.

Zhvillimet e fundit në Europë kanë nxitur edhe debate në skenën politike greke. Përfaqësues të forcës së re opozitare, Aleanca e Majtë Greke, kanë shprehur dëshirën që vala e mobilizimeve qytetare të shtrihet edhe në Greqi, duke theksuar se protestat duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore.

Nga ana tjetër, qeveria greke, përmes zëdhënësit të saj, ka kërkuar izolimin e individëve që nxisin dhunën dhe trazirat.

Edhe socialistët e PASOK-ut kanë bërë thirrje që veprimet e dhunshme të një grupi të vogël personash të mos përdoren për të diskredituar protestat qytetare.

Ndërkohë, SYRIZA dhe Partia Komuniste e Greqisë kanë mbështetur mobilizimin e studentëve, duke kërkuar pjesëmarrje të gjerë dhe zhvillimin e tubimeve paqësore.