Greqia është tronditur nga një prej skandaleve më të mëdha të dekadës, tashmë i njohur si “Watergate-i grek”, pas zbulimeve se dhjetëra telefona të zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, gazetarëve dhe ushtarakëve janë përgjuar me softuer spiun të paligjshëm dhe nga vetë shërbimi sekret grek (EYP), raporton BBC.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka cilësuar çështjen si skandal, por deri tani asnjë zyrtar i qeverisë nuk është përballur me akuza penale, ndërkohë që ekzekutivi akuzohet për përpjekje për të fshehur të vërtetën. Të mërkurën, një gjyqtar do të shqyrtojë akuzat ndaj dy shtetasve izraelitë dhe dy grekëve të dyshuar për përfshirje në shitjen e softuerit spiun Predator.

Skandali shpërtheu në verën e vitit 2022, kur Nikos Androulakis – atëherë eurodeputet dhe sot kryetar i PASOK – u njoftua nga shërbimi IT i Parlamentit Evropian se kishte marrë një mesazh të infektuar me Predator, i cili i jepte akses të plotë mbi telefonin e tij. Hetimet zbuluan se Androulakis ishte ndjekur jo vetëm nga ky softuer, i shpërndarë nga kompania izraelite Intellexa me bazë në Athinë, por edhe nga EYP “për arsye sigurie kombëtare”.

Për më tepër, vetëm pak javë pas ardhjes në pushtet në vitin 2019, Mitsotakis e kishte vendosur EYP-in nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të zyrës së tij, duke përqendruar kontrollin mbi shërbimet e inteligjencës.

Pas publikimit të aferës, kreu i EYP, Panagiotis Kontoleon, si dhe Grigoris Dimitriadis – nipi dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit – dhanë dorëheqjen.

Sipas Autoritetit Grek për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Predator është përdorur për të përgjuar të paktën 87 persona, mes tyre 27 të ndjekur paralelisht edhe nga EYP, duke përfshirë ministra dhe oficerë të lartë të ushtrisë.