Pas motit të keq dhe erërave të stuhishme, pluhuri afrikan ka pushtuar Greqinë prej ditës së sotme. Stuhi të mëdha të pluhurit u shfaqën fillimisht në Heraklion të Kretës, duke krijuar një atmosferë mbytëse dhe vijuan përhapjen në të gjithë Egjeun.
Në Rogdia, peizazhi dukej i mjegullt dhe i “mbytur” në një re pluhuri. Fenomeni vjen pas motit të keq që goditi Kretën dhe Greqinë në përgjithësi gjatë 24 orëve të fundit, me erëra të forta, duke shkaktuar dëme në shumë zona të ishullit.
Serrat u dëmtuan, bizneset bregdetare u mbushën me rërë, ndërsa probleme u regjistruan edhe në objektet portuale dhe strehat e peshkimit, me incidente madje edhe me fundosje anijesh në Gavdos dhe Kretë. Makinat dhe koshat e plehrave lundruan në ujë gjithandej, lumenjtë dhe përrenjtë çanë shtretërit dhe vërshuan qyteteve, teksa u shënuan edhe disa viktima.



