Vetën disa orë pas deklaratës së papritur të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis nga Parisi, se Greqia “po hap një faqe të re” duke shqyrtuar energjinë bërthamore, reagimet e forta politike e shkencore në vend japin e marrin në këtë debat i cili për dekada ka qenë tabu në vend.
Në samitin e Energjisë Bërthamore në Paris Mitsotakis theksoi mes të tjerash se Athina do të studiojë nëse reaktorët e vegjël modularë mund të kenë rol në sistemin energjetik, pa u angazhuar për ndërtimin e centraleve bërthamore.
“Greqia po hap një faqe të re. Ka ardhur koha që vendi im të shqyrtojë nëse energjia bërthamore, dhe veçanërisht reaktorët e vegjël, mund të luajnë një rol në sistemin energjetik grek”, u shpreh Mitsotakis.
Disa specialistë grekë të energjisë e konsideruan hapjen e debatit si të nevojshme duke theksuar se teknologjia moderne është shumë më e sigurt se në të kaluarën dhe se energjia bërthamore mund të funksionojë si burim bazë që plotëson energjinë nga burimet e rinovueshme. Ndërkohë, ekspertë të tjerë nënvizojnë se një vendim i tillë kërkon vite studimi, konsensus politik dhe shoqëror, si dhe investime shumë të mëdha.
Sa u përket reagimeve politike ato janë të ashpra. Socialistët e PASOK-ut akuzojnë qeverinë për kontradikta dhe mungesë strategjie, duke argumentuar se energjia bërthamore do ta rrisë varësinë e vendit nga jashtë, pasi karburanti, teknologjia dhe menaxhimi i mbetjeve kontrollohen nga vende të tjera.
Sipas tyre, kostot janë shumë më të larta se ato të energjisë së rinovueshme dhe Greqia duhet të investojë në alternativa si magazinimi i energjisë dhe gjeotermia.
Edhe opozitarët e SYRIZA-s, e kundërshtojnë kategorikisht idenë, duke deklaruar se energjia bërthamore është e rrezikshme për një vend sizmik si Greqia dhe e papajtueshme me modelin e zhvillimit të qëndrueshëm. Lideri i partisë theksoi se kjo teknologji nuk është më e lirë dhe mund të krijojë rreziqe serioze për mjedisin dhe sigurinë publike.
Top Channel
