Ekonomia pritet të pësojë edhe një vit tjetër negativ më 2013-n
Greqia vendosi të ecë përpara me shkurtimet e dhimbshme buxhetore dhe njoftoi se do të ketë një buxhet me suficit primar më 2013-n, i pari i këtij lloji në një dekadë, bëri të ditur qeveria. Këto masa pritet të kënaqin donatorët e huaj, por do të prodhojnë edhe një rënie tjetër të rëndë ekonomike. Greqia do të synojë të ketë një suficit primar prej 1.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa PBB-ja pritet të reduktohet me 3.8 për qind të tjera. Suficiti primar nënkupton që rezultati mes të ardhurave dhe shpenzimeve të jetë pozitiv, duke përjashtuar shpenzimet për interesat e borxhit publik. Në total kjo nënkupton që stoku i borxhit do të ulet.
Por analistët e konsideruan edhe këtë përpjekje të re të Greqisë tepër optimist, për shkak se deri më sot, reforma në këtë vend ka qenë e ngadaltë, ndërsa ekonomia e eurozonës në tërësi është në përkeqësim.
“Ka shumë gjasa që objektivat e këtij buxheti nuk do të realizohen, për shkak të recesionit më të thellë që do të shkaktohet nga kursimet dhe paaftësia për të realizuar objektivat e privatizimit”, tha Xenofon Damalas, një analist financiar vendas. Deficiti i përgjithshëm i qeverisë, duke përfshirë edhe koston e shërbimit të borxhit, parashikohet të jetë 4.2 për qind e PBB-së vitin e kaluar, nga 6.6 për qind që është më 2012-n. Papunësia pritet të rritet në 24.7 për qind. Ekonomia e Greqisë ka një prodhim të përgjithshëm prej 147 miliardë eurosh, nga 180 miliardë që ishte në vitin 2008. Borxhi publik i Greqisë pritet të rritet sërish në 179.3 për qind të PBB-së, pavarësisht faljes së një pjese të madhe të borxheve këtë vit.
Greqia është detyruar që nga viti i ardhshëm të shkurtojë rrogat në sektorin publik, pensionet dhe ndihmën ekonomike, për një total prej 11.5 miliardë eurosh. Në këmbim të kësaj, do të përfitojë 31.5 miliardë euro kredi të butë, të cilat do t’i përdorë për të paguar kreditorët ekzistues. Por masat e kursimit mund të bëhen të vështira për qeverinë, për shkak të protestave masive të popullatës, të cilat shpesh kalojnë në dhunë. Kryeministri Antonis Samaras ka deklaruar se ky është raundi i fundit i kursimeve.
Kredidhënësit e kanë gjithashtu të vështirë të mohojnë ndihmën për Greqinë, për shkak se mohimi i 31.5 miliardë eurove mund ta nxjerrë këtë vend praktikisht jashtë eurozonës dhe të sjellë pasoja të rënda në Itali dhe Spanjë. Ndërkohë, dy parti të vogla të majta që janë pjesë e koalicionit qeverisës të Samaras, kanë deklaruar se mund të votojnë kundër ligjit. Mosmiratimi i buxhetit në Kuvend mund të sjellë një raund tjetër kaosi politik. Votimi pritet të kryhet në mes të dhjetorit. Por rreziku i mosmiratimit të buxhetit është i vogël, pasi koalicioni disponon 178 nga 300 votat në Parlament.
Ekonomia e Greqisë ka humbur rreth një të pestën e prodhimit që realizoi në vitin 2008, ose në vitin para fillimit të krizës. Ekonomia e këtij vendi është aktualisht në nivelin e vitit 2004, por rënia e madhe nuk është pasqyruar njësoj për të gjithë popullatën e këtij vendi. Të varfrit kanë pësuar rënie më të madhe.