Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, ka deklaruar se situata e sigurisë në Groenlandë mbetet komplekse dhe e vështirë për t’u menaxhuar, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme me të cilat përballet rajoni.

“Nuk është e lehtë të mendosh në mënyrë inovative për zgjidhje, kur zgjohesh çdo mëngjes me kërcënime të ndryshme”, u shpreh Rasmussen, duke theksuar sfidat e përditshme që lidhen me stabilitetin dhe sigurinë në Arktik.

Ai shtoi se është në interesin e të gjitha palëve, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme politike, të shqyrtojnë mundësitë për adresimin e shqetësimeve ekzistuese, duke respektuar njëkohësisht integritetin territorial të Mbretërisë daneze dhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit të Groenlandës.

Deklaratat e ministrit danez vijnë në një kohë kur Groenlanda është kthyer në fokus të vëmendjes ndërkombëtare, për shkak të rëndësisë së saj strategjike dhe tensioneve në rritje mes fuqive të mëdha.