Policia tha se një grua 25-vjeçare dyshohet se u vetëvra në shtëpinë e saj në Indi, për shkak të frikës nga milingonat. Gruaja u gjet e varur në dhomë. Policia tha se ishte informuar se gruaja kishte pasur frikë nga milingonat që nga fëmijëria dhe më parë kishte marrë këshillim në një spital në qytetin e saj të lindjes. Më herët atë ditë, gruaja e kishte lënë vajzën e saj në shtëpinë e një të afërmi, duke u thënë atyre se do ta merrte pasi të kishin pastruar shtëpinë.
Burri i saj, i cili kishte shkuar në punë në mëngjes, u kthye në mbrëmje dhe e gjeti derën kryesore të mbyllur nga brenda. Me ndihmën e fqinjëve, ai e theu derën dhe e gjeti gruan e tij të varur. Një shënim vetëvrasjeje i gjetur në vendngjarje shkruante: “Zotëri, më vjen keq, nuk mund të jetoj me këto milingona. Kujdesu për vajzën.”
Rikujtojmë, se një fosil i anashkaluar prej vitesh në një muze në Brazil ka rezultuar të jetë milingona më e vjetër e njohur deri më sot, duke e shtyrë historinë e tyre për rreth 10 milionë vjet më herët se sa besohej më parë. Sipas një studimi të publikuar në revistën Current Biology, kjo milingonë jetoi rreth 113 milionë vjet më parë, gjatë periudhës Kretake, në një kohë kur dinozaurët ende dominonin Tokën.
Fosili u gjet në një koleksion të Muzeut të Zoologjisë në Universitetin e São Paulos nga kërkuesi Anderson Lepeco, i cili e cilësoi zbulimin si “të jashtëzakonshëm”. Insekti i fosilizuar, i ruajtur në një shkëmb gëlqeror në verilindje të Brazilit, i përkiste një grupi të quajtur milingona ferri, që nuk kanë lidhje me milingonat moderne.




