Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy deklaroi se do të “flejë në burg, por me kokën lart” pasi u dënua me pesë vjet heqje lirie për konspiracion kriminal – një vendim historik, pasi është hera e parë në Francën moderne që një ish-kreu shteti dërgohet në burg.

Akuzat

Dënimi erdhi pas një gjyqi ku Sarkozy dhe bashkëpunëtorët e tij akuzoheshin se kishin lidhur një marrëveshje korrupsioni me regjimin e ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi, për të siguruar fonde për fushatën presidenciale të vitit 2007.

Vendimi i gjykatës

Kryetarja e trupit gjykues, Nathalie Gavarino, vendosi një formë të veçantë dënimi që e detyron 70-vjeçarin Sarkozy të vuajë burgimin edhe në rast apelimi. Ajo argumentoi se shkeljet ishin “të rënda” dhe “minonin besimin e qytetarëve”. Fillimi i dënimit do të caktohet më vonë, ndërsa prokuroria ka një muaj afat për ta njoftuar ish-presidentin për datën e hyrjes në burg.

Reagimi i Sarkozy

Dënimi u cilësua më i rëndë se pritjet e shumicës. Duke dalë nga salla, Sarkozy reagoi i zemëruar, duke e quajtur vendimin “jashtëzakonisht të rëndë për sundimin e ligjit dhe për besimin në drejtësi”. Megjithatë, ai shtoi: “Nëse duan që unë të fle në burg, do ta bëj, por gjithmonë me kokën lart.”