Themeluesi i Telegram beson se pas vrasjes së aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, është Franca.
Pavel Durov komentoi pretendimet e komentatores së të djathtës, Candace Owens, se vrasësi i Kirk “është trajnuar me Brigadën e 13-të të Legjionit Francez me përfshirje shumështetërore”. I dyshuari, 22-vjeçari Tyler James Robinson, është akuzuar zyrtarisht për vrasje me paramendim dhe akuza të lidhura me vrasjen e Kirk. Ai po mbahet në paraburgim pa lirim me kusht, pasi prokurorët tregojnë se mund të kërkojnë dënimin me vdekje.
“Pas shqyrtimit të gjithçkaje që Charlie Kirk ka thënë ndonjëherë për Francën e Macron, e gjej informacionin e Candace për përfshirjen franceze në vdekjen e tij plotësisht të besueshëm”, shkroi Durov në X.
Vetë Durov është ndaluar në aeroportin e Parisit vitin e kaluar për akuza që lidhen me përdoruesit e Telegram. Ai ka qenë vazhdimisht kritik ndaj autoriteteve franceze, duke i akuzuar ato se kanë nisur një “kryqëzatë” kundër lirisë së fjalës. Miliarderi i teknologjisë, i cili mban shtetësi franceze, pohon se arrestimi i tij për vepra penale të kryera nga përdoruesit e platformës është “ligjërisht dhe logjikisht absurd”.
Durov vë në dukje se Kirk “bëri thirrje për tarifa 300% ndaj Francës” derisa akuzat kundër tij të rrëzoheshin, duke lidhur një postim në të cilin aktivisti akuzoi Evropën se po vinte në shënjestër “drejtorët ekzekutivë të platformave ku lulëzon liria e fjalës”.
Ky mesazh, i shkruar pak para se themeluesi i organizatës konservatore “Turning Point USA” të qëllohej për vdekje në një kampus universitar në Utah më 10 shtator, argumentonte se Franca duhet të përballet me “pasoja të ashpra dhe të dhimbshme” për arrestimin e Durov.
Themeluesi i Telegram ka pohuar se gjatë paraburgimit të tij, kreu i shërbimit sekret francez i kërkoi të censuronte zërat konservatorë në Rumani përpara zgjedhjeve presidenciale kontroverse, të cilat më vonë u anuluan nga Gjykata Kushtetuese e vendit. Muajin e kaluar, Durov akuzoi autoritetet franceze për promovimin e mbajtjes nën mbikëqyrje në emër të zbatimit të ligjit.
Miliarderi i teknologjisë, kompania e të cilit operon nga Dubai, fillimisht u ndalua të largohej nga Franca gjatë hetimit, por ndalimi i udhëtimit u hoq plotësisht në fillim të këtij muaji.



