Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se do t’ia paraqesë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen idenë që të gjithë kandidatët nga Ballkani Perëndimor të pranohen së bashku në Bashkimin Evropian si anëtarë të plotë.

“Nëse pranoni njërin, apo dy, apo tre prej nesh, çfarë do të ndodhë me të tjerët? Si do ta menaxhojmë situatën? Si do t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura?”-, tha Vuçiç.

Ai shtoi se bëhet fjalë për të ardhmen e rajonit, por edhe të Evropës. Presidenti serb tha se e vetmja gjë që BE-ja mund të bëjë është që vendet e Ballkanit t’i pranojë të gjithëve së bashku, pa kufij mes tyre.

“Nëse dikush dëshiron të kuptojë gjeopolitikën, kjo është e vetmja gjë që BE-ja mund të bëjë: të na pranojë të gjithëve së bashku, pa kufij mes nesh. Serbët do të ndihen më mirë, boshnjakët do të ndihen më mirë, shqiptarët do të ndihen më mirë, kroatët do të jenë në rregull, shpresoj. Dhe unë shoh vetëm gjëra pozitive si përbashkues të kësaj ideje. Kjo ka qenë ideja ime dhe këtë do ta them hapur nesër si për Antonio Costën, ashtu edhe për Ursula von der Leyen,” u shpreh Vuçiç.