Një byzylyk i rrallë prej ari, rreth 3.000 vjeçar, i zbukuruar me rruaza lapis lazuli dhe që i përkiste mbretit Amenemope nga Periudha e Tretë Kalimtare (rreth vitit 1000 p.e.s.), është zhdukur nga një muze egjiptian dhe më pas është shkrirë, njoftoi Ministria e Brendshme e Egjiptit.

Artefakti u raportua i humbur më 9 shtator nga një kasafortë laboratorike, duke nxitur autoritetet të forcojnë kontrollet në aeroporte, porte dhe kufij, me frikën se mund të kontrabandohej jashtë vendit. Hetimet zbuluan se një restaurues i muzeut kishte vjedhur byzylykun dhe ia kishte shitur një tregtari argjendi. Ky i fundit e kaloi më tej te një punishtare në lagjen historike të Kajros, ku bizhuteria përfundoi e shkrirë bashkë me metale të tjera.

Autoritetet arrestuan të përfshirët dhe konfiskuan rreth 4.000 dollarë, të ardhurat nga shitja e paligjshme. Ngjarja vjen pak javë para inaugurimit të planifikuar në nëntor të Muzeut të Madh Egjiptian pranë piramidave të Gizës, një projekt madhor që pritet të promovojë trashëgiminë e lashtë dhe të rrisë turizmin kulturor në vend.