Hamasi hodhi poshtë të enjten kërcënimin e fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke refuzuar të lirojë më shumë pengje izraelite pa një marrëveshje të përhershme armëpushimi në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif al-Qanoua, deklaroi se “rruga më e mirë për lirimin e pengjeve të mbetura izraelite” është përmes negociatave për një fazë të dytë të marrëveshjes së armëpushimit, siç raportoi Fox News.

Faza e parë e armëpushimit, e cila zgjati 42 ditë, përfundoi të shtunën, ndërsa faza e dytë ishte planifikuar të fillonte në shkurt. Megjithatë, deri më tani, janë mbajtur vetëm bisedime të kufizuara përgatitore.

Paralajmërimi i Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, kërkoi të mërkurën nga Hamasi lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës. Ai lëshoi një paralajmërim të ashpër për luftëtarët e organizatës, duke u kërkuar gjithashtu udhëheqësve të saj të braktisin enklavën palestineze.

“Ju pret një e ardhme e bukur, por jo nëse mbani pengje. Nëse e bëni, jeni të vdekur!”, deklaroi Trump.

Ai theksoi se pasojat do të jenë të pallogaritshme nëse pengjet nuk lirohen menjëherë.