Luis Hamilton dhe Kim Kardashian janë në një lidhje. Lajmin e raporton në faqen e parë tabloidi britanik “The Sun”, i cili në atë që e quan një “ekskluzive botërore”, zbulon se piloti britanik i Ferrarit, 41 vjeç, dhe ylli amerikan, 45 vjeçe dhe nënë e katër fëmijëve, kanë kaluar së fundmi një fundjavë romantike luksoze me vlerë rreth 120 mijë paund (afërsisht 140 mijë euro) në fshatrat angleze.
Sipas gazetës, çifti ka qëndruar në një resort ekskluziv në Oxfordshire. Kim Kardashian thuhet se ka mbërritur me avionin e saj privat, ndërsa Hamilton me helikopter, duke u ulur në aeroportin e Oksfordit. Mbrëmja thuhet se ka vijuar me një darkë intime dhe një masazh për çiftet, në një atmosferë tërësisht private. Hamilton dhe Kardashian njihen prej vitesh dhe piloti britanik ka qenë i njohur edhe për miqësinë e tij me ishbashkëshortin e Kim, reperin Kanye West.
Deri tani nuk ka pasur as konfirmime dhe as përgënjeshtrime nga protagonistët, ndërsa në rrjetet sociale nuk ka asnjë gjurmë të kësaj “arratisjeje” romantike. Megjithatë, zërat po qarkullojnë me shpejtësinë e Ferrarit të Luis Hamiltonit. Ashtu sikurse piloti britanik, i cili ka qenë gjithnjë pjesë e kronikeve rozë për flirtet e tij të shumta, edhe Kim Kardashian njihet për serinë e gjatë të romancave të saj.
Ajo ka pasur lidhje me personazhe të famshëm si Damon Thomas, Ray J, Nick Lachey, Nick Cannon, Reggie Bush, Cristiano Ronaldo, Miles Austin, Michael Copon, John Mayer, Gabriel Aubrey,Shengo Deane, Odell Beckham Jr., Kris Humphries, Kanye West dhe Pete Davidson./E.K
Burimi: The Sun
