Dikur i njohur si “kryeqyteti botëror i vrasjeve”, El Salvador është sot shtëpia e burgut më të madh dhe një prej më të frikshmëve në botë, ku deri në 40 mijë të burgosur mbahen në kushte ekstreme sigurie.

Bëhet fjalë për Centro de Confinamiento del Terrorismo (CECOT), burgu gjigant i ndërtuar nga presidenti Nayib Bukele si pjesë e luftës së tij kundër bandave kriminale.

Një dokumentar i ri i Channel 5 ka zbuluar detaje tronditëse nga brendësia e burgut, ku sipas drejtorit Bellarmino Garcia, “dritat nuk fiken kurrë”.

“Ne kemi sistem ndriçimi 24 orë. Është pjesë e protokollit. Duhet të jem në gjendje të shoh çfarë bëjnë”, deklaroi drejtori i burgut gjatë dokumentarit “Richard Madeley në rreshtin e vrasjeve”.

Burgu mbulon një sipërfaqe sa 32 fusha futbolli dhe ruhet nga një sistem elektronik sigurie që, sipas autoriteteve, e bën “të pamundur” futjen e kontrabandës. Brenda kompleksit, sinjali i telefonisë celulare është plotësisht i bllokuar.

Në qelitë e CECOT, të burgosurit flenë në krevate metalikë pa dyshekë, jastëkë apo batanije. I vetmi objekt i lejuar është Bibla. Nuk lejohen televizione, libra, gazeta apo mjete komunikimi.

Sipas dokumentarit, ekziston edhe një “vrimë betoni” ku të burgosurit mund të izolohen deri në 30 ditë si formë ndëshkimi.

Burgu strehon kryesisht anëtarë të dyshuar të bandave famëkeqe MS-13 dhe Barrio 18, si dhe disa nga kriminelët më të rrezikshëm të vendit.

Shumë prej të burgosurve po vuajnë dënime që në total kalojnë 700 vite burg. Njëri prej tyre, gjatë intervistës në dokumentar, deklaroi se nuk kishte “asnjë pendesë” për vrasjen e 30 personave dhe se do ta përsëriste sërish nëse do të lirohej.

Të burgosurit kalojnë 23.5 orë  në ditë të mbyllur në qeli. Gjatë 30 minutave të vetme jashtë, ata lejohen të bëjnë ushtrime fizike dhe të dëgjojnë fragmente nga Bibla.

Edhe ushqimi është i kufizuar: çdo ditë serviret i njëjti vakt, oriz dhe fasule, dy herë në ditë.